“Për shkak të përhapjes së fruthit në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik ka shpërndarë një udhëzim në të gjitha instancat shëndetësore ku rekomandon masat që duhet ndërmarrë për të frenuar përhapje e kësaj sëmundje. Në dokumentin e siguruar nga Tv Klan rekomandohet kryerja e vaksinës edhe nën moshën 1-vjeçare në rast se do të kemi një shpërthim të fruthit në këtë grupmoshë, po ashtu rekomandohet edhe kryerja e vaksinës për një sërë kategorish”.
Për këto rekomandime, ISHP thotë se është bazuar në udhëzimet e OBSH.
“Nëse shpërthimi epidemik do të fokusohet tek fëmijët nën 1 vjeç për të ndaluar shpërthimin dhe në bazë të rekomandimeve të NITAG dhe ISHP duhet të fillojë vaksinimi i fëmijëve me moshë mbi 9 muaj e lart. Po ashtu duhet të vaksinohen edhe gjithë personat e lindur përpara viteve 2000 që nuk dokumentojnë rivaksinim ndaj Fruthit si dhe ata persona të lindur gjatë viteve 1980-1999 që nuk janë vaksinuar me dozën e dytë”.
Udhëzimi përcakton se gratë e moshës riprodhuese, duhet të kontrollojnë statusin e tyre të vaksinimit përpara se të mbeten shtatzëna. Statusin e tyre të vaksinimit duhet ta kontrollojnë edhe nënat që kanë fëmijë nën 1 vjeç.
Gratë e pavaksinuara duhet të aplikojnë të paktën një dozë. Vaksinimi ndaj fruthit është i sigurte edhe për nënat me gjidhënie.
Të gjitha qendrat shëndetësore kanë ngritur grupe pune për verifikimin e te gjithë fëmijëve të pavaksinuar në çerdhe dhe kopshte.
Deri tani në vend janë konfirmuar 17 raste me fruth, ndërsa hetimi epidemiologjik vijon, pasi një prekur mund të infektojë 15-20 persona./ Tv Klan