Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Spanjë, ku është takuar edhe me homologun e tij spanjoll Pedro Sánchez. Kreu i qeverisë ndodhet në këtë shtet pasi Shqipëria do të marrë pjesë në panairin e madh global të turizmit “FITUR Madrid”.
“Me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez një ditë përpara pjesëmarrjes së Shqipërisë në panairin e madh global të turizmit “FITUR Madrid”, shkruan kreu i qeverisë në postimin e tij në Facebook.
Në fotot që Kryeministri ka publikuar, në Spanjë ai shoqërohet nga kryebashkiaku i Gjirokastrës, i Durrësit, i Lezhës etj.
Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike përmes një agjende të nivelit të lartë nën organizimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Panairin Ndërkombëtar.
Në stendën e Shqipërisë gjatë ditëve të këtij panairi, përveçse do të prezantohet diversiteti i ofertës sonë turistike mes 152 vendesh pjesëmarrëse, do të mbahen gjithashtu takime të nivelit të lartë mes ministres Mirela Kumbaro dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me ministra dhe personalitete shtetërore për çështjet e turizmit e të mjedisit, përfaqësues të biznesit privat e industrisë së turizmit.
Ministrja Kumbaro do të zhvillojë takime me Ministrin e Turizmit dhe Tregtisë në Andorra, Jordi Torres Falco si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bashkimit Europian dhe Bashkëpunimit të Spanjës, Jose Manuel Albares. Gjithashtu, ministrja Kumbaro do të diskutojë çështje të turizmit dhe mjedisit në takimet me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Mjedisit Hugo Moran Fernandez si dhe me Sekretaren e Shtetit për Turizmin, Rosana Morillo.
Për vitin që shkoi, Shqipëria priti 87 mijë vizitorë spanjollë, ndërkohë që media e njohur spanjolle “El Debate” e ka shpallur Shqipërinë si ‘destinacionin trend’ për vitin 2024, duke rritur pritshmëritë për tërheqjen e vizitorëve nga ky shtet.