Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, priti në një takim Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi ecurinë e procesit të negociatave Shqipëri-BE, Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se Shqipëria pati një angazhim profesional dhe u vlerësua pozitivisht nga ekspertët e Komisionit Europian sa i takon procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit.
Nga ana tjetër, ambasadori Gonzato nënvizoi se turizmi ka qënë një shtytës i rëndësishëm jo vetëm sa i përket zhvillimit të ekonomisë, por edhe përmirësimit të imazhit të vendit. Ai vlerësoi gjithashtu se Shqipëria ka forcuar më tej rolin dhe reputacionin e saj në arenën ndërkombëtare, si një partner i besueshëm.
Përsa i përket Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përfshin 6 miliardë Euro grante dhe kredi dhe pritet të sjellë deri në 1 miliardë Euro mbështetje financiar edhe për Shqipërinë në funksion të përshpjetimit të reformave, nxitjes së rritjes ekonomike dhe thellimit të konvergjencës socio-ekonomike me BE-në.
Këshilli i Ministrave miratoi ditën e djeshme edhe Programin e Reformave Ekonomike (ERP) 2024 – 2026, si një dokument të rëndësishëm në kuadër të procesit të reformave dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Komisioni Evropian në Progres Raportin e vitit 2023 vlerësoi ecurinë e vendit sa i përket përmbushjes së kritereve kryesore në procesin e negociatave të integrimit, si dhe progresin e bërë në disa prej kapitujve që u negociuan nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë./Opinion.al