Senati amerikan nuk e ka miratuar emërimin e David Kostelancik si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Kandidatura i është kthyer shefit të Shtëpisë së Bardhë pasi nuk ka mundur që të konfirmohet sipas rregullave të Senatit. Vendimi është marë më 3 Janar.
Kostelancik pritej që të zëvendësonte në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, të cilës i ka përfunduar mandati prej disa muajsh.
Diplomati amerikan ka shërbyer edhe më herët në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike. Ai ka punuar edhe si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
David J. Kostelancik ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit. Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë si dhe në misionet e SHBA në OSBE dhe NATO.