Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka komentuar nga Fieri vendimin e Kuvendit që i hapi rrugë ashpërsimit të masës ndaj Sali Berishës.
“Koha kur në Shqipëri vendimet e prokuroreve dhe të gjykatave nuk zbatoheshin ka marrë fund. Tashmë të gjithë janë të barabartë para ligjit”.
Balla ka theksuar se; “sot jemi në një moment të rëndësishëm historik të një revanshi të forcës dhe sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar.”, tha ai.
Po ashtu ai është ndalur edhe te pronat e sekuestruara, ku sipas tij janë miratuar ndryshime në ligjin për administrimin e tyre. “Në cilësinë e ministrit të Brendshëm kam urdhëruar ndalimin e shitjes së pronave të sekuestruara”, ka thënë Balla teksa ka theksuar se të gjitha pronat e konfiskuara nga subjektet kriminale do t’i vihen ne dispozicion organizatave joqeveritare dhe shoqërisë civile.
Këto deklarata Balla i ka bërë gjatë prezantimit të prefektit të ri të qarkut Fier, Rajmonda Balilaj e cila ka zëvendësuar në këtë post Lefter Shehajn.