Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e kësaj të premteje në burgun e Peqinit, ku u përfshinë tre të dënuar përjetë, një prej të cilëve mbeti i vdekur.
Mësohet se Sokol Mjacaj pasi është kthyer nga zona e ajrimit ka shkuar tek dritarja e qelisë së Arben Lleshit dhe e ka thirrur me emër.
Pasi ky i fundit është ngritur në këmbë dhe është afruar në dritaren e derës së qelisë, ai e ka qëlluar me tre plumba.
Nga plumbat mbeti i plagosur edhe Indrit Shaqja. Shaqja dhe Lleshi kanë qenë shokë qelie.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Mjacaj dyshohet se është urdhëruar për vrasjen e Lleshit, për arsye hakmarrjeje.
Ndërkohë ai po merret në pyetje nga prokuroria, ndërsa Indrit Shaqja ende nuk është marrë në pyetje pasi është dërguar drejt spitalit për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore.