Henrik Hoxha, ish-i penduari në dosjen “Plumbi i artë” rikërkon statusin e të penduarit të drejtësisë. Disa muaj pasi SPAK vendosi të ndërpresë marrëveshjen e bashkëpunimit, Hoxha ka rrëfyer se atentati ndaj biznesmenit Lulzim Masha është porositur nga i shumëkërkuari i drejtësisë që dyshohet se fshihet në Dubai, Eldi Dizdari.
Hoxha tha në sallën e gjyqit se ka treguar ngjarje dhe detaje nga krimet më shumë se çdo bashkëpunëtor tjetër. Hoxha ka qenë bashkëpunëtor i Nuredin Dumanit dhe grupit të tij në disa vrasje dhe atentate.
Më herët ai kishte deklaruar se kishte pajtuar Skerdi Tasin për të vrarë biznesmenin Lulzim Masha. Sipas Henrik Hoxhës, Nuredin Dumani i kishte thënë se duhej të vritej djali i Lulëzim Mashës, pasi mashtronte njerëzit dhe u merrte para.
Duke qenë se djali fshihej në Maqedoni “porositësit” kanë tentuar të vrasin babanë e tij, ndërsa për atentatin ishin ofruar 100 mijë euro.
Deklarata e sotme në gjyq e Henrik Hoxhës shihet me rezerva pasi më parë kishte thënë se nuk kishte dijeni për llogari të kujt kishte marrë Nuredin Dumani këtë porosi. Ndërkohë vetë ky i fundit ka deklaruar se në këtë ngjarje ka qenë i përfshirë, Aleksandër Baho (“Sakati”).
Dumani do të rrëfente se pasi Suel Çela, i shpallur në kërkim në kuadër të “Plumbi i Artë, i dha numrin e personit që e donte të eliminuar pronarin e shkollës, ai shkoi në Gjilan të Kosovës ku siguroi armët, motorin dhe paratë për të kryer ekzekutimin e Lulzim Mashës. Sipas Dumanit, ky person është Aleksandër Baho. Për këtë vrasje u ofruan plot 150 mijë euro.
Lidhur me atentatin ndaj Lulzim Mashës, SPAK ka marrë të pandehur Henrik Hoxhën, Skerdi Tasen, Nuredin Dumanin dhe Suel Çelën. Seanca paraprake për të pandehurit me 16 anëtarët e grupeve kriminale, u shty për të premten e ardhshme pasi disa nga avokatët merrnin pjesë në një seancë tjetër dhe kërkuan kohë për njohjen me aktet.