Klodiana është lindur në një familje të madhe në Berat, me 8 motra e 4 vëllezër. Prindërit e saj kanë rreth 20 vjet që kanë ndërruar jetë. Në moshën 35-vjeçare, u martua me mblesëri me dikë që e takoi vetëm tre herë dhe më pas, emigruan në Greqi.
Nga ai moment, rrëfen Klodiana në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, sjellja e ish-bashkëshortit ndryshoi rrënjësisht. Ai ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj saj, me kërkesa absurde dhe kur Klodiana mbeti shtatzënë, refuzoi që ajo ta mbante fëmijën.
Ardit Gjebrea: Si ishte jeta me të?
Klodiana: 15 ditët kanë qenë me sjellje të mirë, unë pak a shumë e kisha një çikë të vështirë, gjuhën s’e dija. Ish-bashkëshorti filloi ktheu komplet atë sjelljen, u bë agresiv, abuzonte.
Ardit Gjebrea: Ç’do të thotë?
Klodiana: Ngrihesha që në 4 t’i bëja për të ngrënë.
Ardit Gjebrea: Që në 4 të mëngjesit?
Klodiana: Që në 4 të mëngjesit.
Ardit Gjebrea: Po çfarë gatuaje që në 4?
Klodiana: Njëherë bëja makarona, por mishin e donte të përditshëm.
Ardit Gjebrea: Në 4 të mëngjesit mish?
Klodiana: Në 4 të mëngjesit por që duhet ta bëja mishin të thekëruar, të skuqur me makarona, po. Duhet ta hante, të bëja edhe kafen gati. Vinte pronari na merrte dhe na çonte te toka, te puna.
Ardit Gjebrea: Kur the që nuk sillej mirë në shtëpi, edhe fizikisht?
Klodiana: Po. Edhe fizikisht, edhe psikologjikisht ka qenë më e vështirë. Me kërcënime nga më të ndryshmet.
Ardit Gjebrea: Po pse, çfarë ndodhte, çfarë bëje ti?
Klodiana: Asgjë s’kam bërë, thjesht kam qenë shumë e urtë, shumë e qetë, thosha hë se do kthejë, hë se kështu, mbase është hera e parë, s’ia di rëndësinë ç’është burri. E duroja me një fjalë.
Klodiana thotë se nuk e denonconte për disa arsye. Së pari, ndodhej në një shtet të huaj dhe kishte frikë të shkonte në polici. Ajo fajësonte veten për sjelljen e tij, por ndërkohë nuk kishte as mbështetje nga familjarët. Ngulmimi i saj për të mbajtur fëmijën, arriti deri në një sjellje barbare nga ish-bashkëshorti.
Klodiana: Durova shumë aty deri në momentin që unë kam ngelur shtatzënë.
Ardit Gjebrea: A të thoshte “nuk do ta mbash këtë fëmijë?”
Klodiana: Po, “fëmijën nuk do ta mbash, jemi me qira, të stabilizohemi njëherë, nuk e dua, tani është herët”.
Ardit Gjebrea: A të ka gjuajtur me shkelma në bark kur ishe shtatzënë?
Klodiana: Po, më ka gjuajtur kur kemi ardhur në Shqipëri, donte që ta hiqja fëmijën.
Kur Klodiana ishte rreth 3-muajshe e gjysmë shtatzënë, çifti u kthye në Shqipëri. Mes kërcënimeve “mua ose fëmijën” nga ish-bashkëshorti, Klodiana zgjodhi foshnjën që priste dhe ai u largua. Një mëngjes, ende pa aguar dita, ish-bashkëshorti u kthye për ta ndëshkuar.
Klodiana: Kam qenë tre muajshe e gjysmë për 4, kisha kaluar, ka qenë mëngjes herët që unë punoja në një restorant dhe e lija punën në 1 të natës dhe deri në 3 të mëngjesit sa binte trupi në qetësi, qaja nga frika, si do e mbaj këtë fëmijë, si e mora përsipër dhe në 4 të mëngjesit i ka rënë derës. Aty gërthita se e pashë, u tremba më shumë por gjatë kësaj pjese, kur merrte në telefon, bënte kërcënime “o hiqe, po të erdha do të të vras” dhe kur ka ardhur aty ka thyer derën dhe më ka gjuajtur. “A të thashë që do të vij të të gjej dhe ti fëmijën duhet ta kesh hequr?”, tha. Më ka gjuajtur, unë kam rënë pa ndjenja.
Ardit Gjebrea: Të ka gjuajtur edhe në bark.
Klodiana: Po. Më gjuajti 2-3 herë, më gjuajti edhe në bark, ka qenë janar, me një palë këpucë siç vishen, si kambale, kanë ardhur komshinjtë. Unë veten e kam parë në maternitet. Kur jam përmendur pas 48 orësh, kam pyetur vetëm për fëmijën. Doktori më ka thënë “bëhu e fortë, të jesh ti mirë fizikisht, qetësohu. Fëmijën e ke mbarë, shumë mirë e ke”.
Klodiana shton se as familjarët nuk iu gjendën pranë sepse i thanë që nëse këtë fëmijë nuk e donte as i ati, atëherë ajo duhej të vepronte siç i diktohej.