Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga grabitja e dështuar e një nate më parë në fshatin Prush të Tiranës ku pati edhe një shkëmbim zjarri mes policisë dhe grabitësve. Gazetarja Bleona Metushi raportoi në një lidhje të drejtpërdrejtë për edicionin e lajmeve në Tv Klan dinamikën e kësaj ngjarje që fatmirësisht nuk pati viktima.
“Grupi hetimor ka mundur të marrë dëshmitë e efektivëve të policisë që mbërritën të parët në banesën që ra pre e vjedhjes së dhunshme. Rezulton se kanë qenë 5 persona që kanë bashkëpunuar në këtë grabitje”, tha ajo.
Njëri prej tyre ka pritur poshtë rrugës, disa metra larg shtëpisë në mjetin me të cilin ata kanë shkuar deri në fshatin Prush. Katër të tjerët janë afruar në banesën e familjes Hima dhe kanë trokitur aty.
Ata kanë qenë të veshur me jelekë të policisë dhe pasi është hapur dera janë prezantuar si efektivë policie dhe kanë nisur t’i kanosin. Por ndërkohë ka qenë njoftuar policia dhe disa minuta më vonë ka mbërritur në vendin e ngjarjes një patrullë e policisë, që në atë momenti ishte më e afërta në zonë.
Kur efektivët janë futur në pjesën e brendshme të banesës autorët, pra 4 nga grabitësit, kanë hapur zjarr. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, 3 prej tyre, sipas të gjithë skemës së ngritur nga policia janë larguar në zonën e pyllëzuar pranë banesës duke u fshehur. Tjetri është afruar pranë makinës që i priste disa metra më tutje.
Në momentin që dy autorët në makinë kanë tentuar të largohen patrulla e policisë u ka ndërprerë rrugën dhe njëri prej efektivëve të policisë është afruar të hapë derën. Por për shkak se makina e autorëve ka qenë me shpejtësi, e kanë shtyrë efektivin. Fatmirësisht ai nuk ka marrë lëndime.
“Kjo është e gjithë skema që ka ndodhur në disa minuta në fshatin Prush. Policia dje dhe sot kanë tentuar të mbledhin materiale biologjike të lëna pas nga autorët dhe po ashtu po punojnë me kamerat e sigurisë për identifikimin e tyre”, raportoi gazetarja Metushi.
Kujtojmë që ngjarja në fjalë ndodhi mbrëmjen e së shtunës. Autorët dyshohen se janë larguar me një “Audi” ngjyrë të bardhë dhe që mbante targat e vjedhura të një makine tip “Benz”. Deri më tani asnjë prej tyre nuk është kapur./tvklan.al