Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka marrë pjesë në 111-vjetorin e krijimit të Postës Shqiptare.
Gjatë fjalës së saj në këtë aktivitet, Balluku e ka vënë theksin tek një projekt i madh inovacioni që do të përfshijë shërbimet nga Posta Shqiptare.
Ajo ka theksuar se synojnë që pagesat t’I kryejnë në mënyrë elektronike.
“Posta Shqiptare ka nisur prej kohësh një projekt të madh inovacioni duke pasur parasysh që është institucioni që shkon në çdo cep të vendit tonë. Nuk ka një institucion tjetër shtetëror që shkon nga Vermoshi në Konispol duke qenë i prekshëm nga të gjithë dhe sidomos nga grupet vulnerabël.
Tani që ne jemi gati dhe kemi projektuar dhe dizenjuar këtë zhvillim të ri innovator dhe teknologjik, ka ardhur momenti ta promovojmë. Të gjithë e dimë sa shumë shërbime merren nga zyrat postare. Synojmë që pagesat të kryhen në mënyrë elektronike. Ne synojmë që përmes një karte universale dhe përmes një investimi të rëndësishëm që do të bëhet në pikat e shpërndarjes, ne t’i japim mundësinë çdo pensionisti që të shkojë dhe të tërheqë para pa pasur nevojë të shkojë në bankë dhe të paguajë komisione”, tha Balluku.
Ndër të tjera zëvendëskryeministrja theksoi se planifikohet që duke nisur nga viti 2024 të zhvillohet një projekt të ri dhe bëhet fjalë për transportin me dron të pakove postare.
“Nga ana tjetër, çfarë është më e rëndësishme dhe që ne duhet ta përmendim këtu sot është që ne planifikojmë që në vazhdim, duke nisur nga viti 2024, të fillojmë të prodhojmë dhe të kemi një projekt të ri, i cili do të ngjajë prapë pak futurist, ashtu siç u komentuan satelitët që sot funksionojnë më së miri dhe na japin të dhëna të jashtëzakonshme për proceset e ndryshme administrative që ne kemi, dhe bëhet fjalë për transportin me dron.
Transporti me dron i cili do të marrë nga qendrat e ndryshme kudo në Shqipëri, nga qendrat postare do të marrë pakot postare për ti transportuar ato diku në një vend tjetër. E gjitha kjo do të na japë efiçiencë në kohë, efiçiencë financiare dhe mbi të gjitha edhe ulje të emetimeve të karbonit që është edhe kjo një nga synimet e Republikës së Shqipërisë për shkak të të gjitha angazhimeve që ne kemi marrë për axhendën e gjelbër europiane, por edhe atë ndërkombëtare që sa më pak mjete transporti të përdoren dhe sa më shumë të përdoret inovacioni, siç është rasti i dronëve, ne do të arrijmë targetet tona”, shtoi ajo./Opinion.al