Është dënuar me 17 vjet burg për vrasje argjendari Mario Rogero, i cili dy vite më parë ekzekutoi me armë zjarri dy persona që tentuan të grabisnin dyqanin e tij në Cuneo.
Gjykata e Astit vendosi të shpallë fajtor Rogeron për vrasjen e 58-vjeçarit Giuseppe Mazzarino dhe 44-vjeçarit Andrea Spinelli, teksa qëlloi dhe një person të tretë, i cili mbeti i plagosur në këmbë.
Sipas akuzës, Rugero i vrau me gjakftohtësi agresorët, teksa ai pretendon se reagoi pasi ata i kishin rrëmbyer gruan dhe se nuk e mbante mend të gjithë tablonë e asaj dite prilli.
“Roggero mendoi se duhej të luftonte në kushte të barabarta për të çliruar gruan e tij nga duart e grabitësve”, këmbënguli avokati i tij, Dario Bolognesi, duke kërkuar pafajësinë për vetëmbrojtje.
Pas dënimit, argjendari thotë se nuk pendohet për atë që bëri. Ai ironizoi drejtësinë italiane teksa shtoi se shumë lehtë mund të kishte qenë ai viktima nëse nuk do të ishte vetëmbrojtur.
“Është çmenduri, rroftë krimi dhe delikuenca. Sinjali i mirë për Italinë. Si ndihem? Krejt i pambrojtur, shteti nuk bën asgjë për të mbrojtur një qytetar normal. Pas pesëdhjetë vitesh punë dhe pagim taksash. Në të vërtetë, ka rryma të drejtësisë që janë të frikshme”, tha ai.