Ditën e hënë pritet që seanca parlamentare të përfshihet nga kaosi, teksa Kuvendi diskuton projekt-buxhetin 2024 për ta miratuar më pas në parim.
PD e drejtuar nga Sali Berisha është zotuar se nuk do të lejojë që seanca të zhvillohet, duke mos dhënë detaje mbi aksionin e tyre për të penguar punimet e parlamentit.
Këtyre paralajmërimeve, duket se mazhoranca u është përgjigjur me tre hartimin e tre skenarëve të mundshëm.
Sipas informacioneve që vijnë nga PS, vendimi do të merret në varësi të aksionit të opozitës, por skenarët janë tre: buxheti të kalojë në parim pa diskutime.
Në rast se pamundësohet votimi, gjasat janë që seanca të ndërpritet dhe deputetët e maxhorancës të rikthehen të martën për votimin në parim. Nuk përjashtohet as mundësia e një seance online, me deputetë të grumbulluar në kryesinë e Kuvendit, larg sallës së seancave plenare ku opozitarët e Berishës do të vënë në jetë planin e tyre.
Në mesin e pikëpyetjeve për seancën e projektbuxhetit është edhe prezenca e kryeministrit Edi Rama, i cili një vit më parë, pati vetë në seancë peshën kryesore të replikave me Partinë Demokratike, në një seancë maratonë që zgjati 12 orë.
Edhe grupi opozitar që nuk mbështet aksionin, ai i PD zyrtare me Lulzim Bashën dhe deputetët e pakët që e mbështesin, e kanë në pikëpyetje prezencën e tyre në sallë. Ata kanë propozuar 8 amendamente, ndaj prezenca e tyre pritet vetëm nëse do të gjendet hapësira për ta diskutuar buxhetin.
Në seancën e ditës së nesërme edhe prezenca e Gardës pritet të jetë më e lartë për të parandaluar përplasjet fizike, ndërsa vigjilenca do të jetë po ashtu e lartë, për të ndaluar futjen e lëndëve piroteknike në sallë.