Denoncimi i radhës na çon në Durrës, në shkollën 9-vjeçare “Qemal Mici”. Një zonjë, prind i një fëmije me probleme të spektrit autik në klasën e 6-të, thotë se fëmija nuk ka mësues ndihmës.
Ajo thotë se në 6 vjet ka ndërruar 8 mësues, çdo herë më të dobët se më parë. Aktualisht rolin e mësuesit ndihmës e bën ai i artit pamor, por djali nuk bën progres.
“Çdo vit mësueset fëmijës sim i ndërrohen. Mësues ndihmës dhe asnjëherë nuk ka pasur mësues special. Tek e fundit të kishte një mësues definitiv, jo një 3 muajsh ta mbante njëri dhe 3 muaj një mësuese tjetër. Fëmija im sapo mësohet me një mësuese, ajo largohet dhe vjen një mësuese tjetër dhe çdo mësues tjetër për fëmijën tim është një hap prapa dhe jo një hap para. Këto 6 vite ka ndërruar 8 mësues. Vetëm vitin e kaluar ka ndërruar 3 mësues”, tha denoncuesja.
“Dy javët e para nuk ka patur mësues fare , kam ndenjur vetë aty dhe ka ndenjur shumë mirë. Me syrin tim të lirë asnjë profesor nuk ka pasur ankesa, asnjë prind dhe asnjë nga shokët apo shoqet e klasës së fëmijës tim. Dy javët e dyta tani ka ardhur profesor Altini dhe kam gjetur fëmijën jo në mësim, por me një ulërimë nga kati i parë deri në kat të katërt. Fëmija nuk është agresiv, do vetëm menaxhim. Bazohem sepse ma ka thënë që nuk jam i profilit dhe tek e fundit kaq mundem, jo se nuk dua, por kaq mundem. E bëj dallimin sepse në klasë të tretë fëmija im ka pasur një zyshë jo speciale, por të trajnuar, deri diku e specializuar për këtë fushë dhe fëmija im është mësuar dhe ka ecur shumë me atë zyshë. Fëmija im menaxhohej në çdo lloj aspekti shumë mirë nga zysha”, u shpreh më tej denoncuesja.
Zonja ka folur me drejtorin e shkollës, por ai thotë se nuk ka mësues. Po ashtu ka vajtur 4 herë në Zyrën Arsimore Durrës, por sërish nuk ka marrë zgjidhje.
“Ajo më ka thënë që nuk e pranojnë vendin e punës së zyshës së specializuar sepse nuk janë definitive”, tha denoncuesja.
Edhe gazetarja e “Stop” mori takim me drejtorin e shkollës Eduard Prenga, i cili tha, se mësuesit ndihmës shkojnë në ato shkolla, ku janë definitivë dhe për këtë ka vënë në dijeni ZVA-në Durrës.
“Ligji ka një problematikë që mësuesit që janë jo të profilit special nuk mund të bëhen definitivë, do jenë gjithmonë me kontratë. Ndërkohë që ia thashë dhe prindit, mësuesit që kanë qenë në portal për arsim special, të gjithë kanë zgjedhur shkolla të tjera kështu që në këtë rast Zyra Arsimore është detyruar të hapë portalin për mësues të profileve të tjera”, tha ai.
Në këtë institucion juristja dhe anëtarja e komisionit të portalit shprehen, se pasi i vjen kërkesa nga shkolla, vendi vakant nxirret në portal dhe u çohet kandidatëve, që janë pjesë e portalit, për arsim special.
Kur për këtë vend pune nuk ka interesim nga arsimtarët e profilit, u çohet profileve të tjera.
Pas ndërhyrjes së “Stop” ZVA Durrës na përgjigjet në mënyrë shkresore, se për djalin e vogël u gjet një mësuese ndihmëse e gjuhës dhe letërsisë me specializimi për problematika të tilla./ Tv Klan