Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Kanada me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Kanadasë.
Lajmin e bëri të ditur vetë Nikolla, përmes një postimi në rrjete sociale ku shkruan se Shqipëria dhe Kanadaja ndajnë të njëjtat qëndrime dhe angazhime për të gjitha çështjet globale dhe njëkohësisht po rrisin bashkëpunimin në OKB.
Nikolla vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë, intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim mund të rritet e zgjerohet edhe me Ontarion.
“Shqipëria dhe Kanadaja ndajnë të njëjtat qëndrime dhe angazhime për të gjitha çështjet globale dhe njëkohësisht po rrisin bashkëpunimin në OKB, ku Shqipëria shërben si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Partnere të denja në NATO për mbrojtjen e sigurisë dhe të paqes” , shkruan Nikolla.
E shoqëruar nga Zëvendëskryetari Agron Gjekmarkaj, anëtari i Grupit të Miqësisë me Kanadanë Eduard Ndreca dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kanada Ermal Muça, Nikolla u prit në Toronto nga Kryetari i Asamblesë Legjislative të Ontarios, Ted Arnott.
Kryeparlamentarët Nikolla dhe Arnott diskutuan edhe mbi vlerat e përbashkëta dhe qëndrimet e njëjta të Shqipërisë dhe Kanadasë ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, dialogun mes Kosovës e Serbisë, luftën në Izrael, mbështetjen e Ukrainës etj./Opinion.al