Seanca parlamentare u shoqëruar me debate të forta pas miratimit të rezolutës për Kosovën, pasi kryeparlamentarja Nikolla vijoi me nisjen e votimit për projektligjet e seancës së kaluar, gjë që bëri që deputetët e opozitës të bllokojnë foltoren.
Pas përfundimit të seancës, Sali Berisha foli për mediat duke thënë se seanca e sotme ishte vetëm për rezolutën e Kosovës dhe jo për votimin projektligjeve.
Sipas tij, ky akt përjashton opozitën nga parlamenti si dhe cenon pluralizmin politik në Shqipëri. Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të nisin sa më shpejt protesta kundër qeverisë.
“Pas qaste më parë, shqiptarët panë një akt rrugaqërie të pashembullt në parlamentin shqiptar. Ajo që kryen detyrën e kryetarit, faktikisht një njeri i keqpërdorur në shkallën më ekstreme nga Edi Rama, duke shkelur me të dy këmbët rregulloren e parlamentit, futi në rend të ditës, pas miratimit të rezolutës atë që nuk mund të ndodhte kurrë, sepse në çdo parlament rendi i ditës miratohet në mëngjes dhe në mëngjes ishte vetëm rezoluta për Kosovën. Por në një mënyrë tinëzare, banditeske, e keqpërdorura në shkallë ekstreme që kryeson seancat e parlamentit, futi çështjet themelore, kërkesat e opozitës për komisione hetimor parlamentare dhe vendimin e Edi Ramës për ti përcaktuar opozitës në reformën zgjedhore, AliBashën. Ju e patë vetë se çfarë skene e shëmtuar ishte kjo. Një skenë e tillë mund të ndodhë vetëm në parlamentin e Bjellorusisë. Faktikisht ky është përjashtimi i opozitës nga parlamentit. Faktikisht ky është ekzekutimi i pluralizmit politik në parlament. Kjo qeveri që qëndron mbi krimin, drogën dhe vjedhjen, nuk respekton më asnjë lloj norme dhe parimi, institucional në parlament apo jashtë tij. Koha po vjen për një përgjigje të fuqishme popullore, përndryshe unë ju garantoj se demokracia në Shqipëri është në grahmat e fundit të saj. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të Edi Ramës, i cili i damkosur dhe i diskredituar në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtarë bën gjithçka për të mbajtur pushtetin e tij. Edi Rama me aktet e tij, me vjedhjet monstruoze që ka bërë, aferat e mëdha që është implikuar, aferën McGonigal dhe lidhjet e tij patologjike me Aleksandër Vuçiç është pra një armik i të gjithë shqiptarëve. Ndaj dhe jam këtu, për ti bërë thirrje popullit opozitar të ngrihemi një minutë e më parë kundër këtij regjimi, që nuk respekton, por shkelmon çdo ditë, liritë të drejtat e opozitës dhe qytetarëve në tërësi”,-tha Berisha./Opinion.al