Ambasada e SHBA në Shqipëria ka shprehur përsëri mbështetjen e saj ndaj sistemit të drejtësisë.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare në “Facebook”, ambasada e SHBA shpreh shqtësimin për kërcënimet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Në deklaratë thuhet më tej se SHBA mbështesin zyrtarët e zbatimit të ligjit që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në vendin tonë.
“Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre”,-thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.
Pak ditë më parë u zbulua se Laert Haxhia së bashku me grupin e tij kriminal kishin patur në plan që të ekzekutonin prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu dhe ish-prokuroren e Lushnjës, Merita Selimi.
Pas zbulimit të këtij plani, Musabelliu dhe Selimi janë marrë në mbrojtje. Po ashtu, në planet e Haxhisë për personat që kishte planifikuar për t’i ekzekutuar ishte dhe avokati, Adriatik Doga. Plani u zbulua pas dëshmisë të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani./Opinion.al