Të paktën 13 persona kanë vdekur nga një zjarr i rënë në një klub nate në qytetin juglindor të Murcias, thonë autoritetet spanjolle.
Zjarri shpërtheu në klubin e natës popullor Teatre, në zonën Atalayas, rreth orës 06:00 me orën lokale (04:00 GMT).
Videoja e shpërndarë në internet tregonte flakët që shpërthyen mbi ndërtesë dhe tym të dendur e të errët që dilte nga dritaret e saj.
Shërbimet e urgjencës janë në kërkim të personave të zhdukur që ndodheshin në lokal në atë moment.
Ata kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet ende.
Sipas gazetës La Verdad de Murcia, një vajzë 28-vjeçare, e cila nuk është gjetur ende, i dërgoi një mesazh zanor nënës së saj kur kishte filluar zjarri, ku i theshte: “Mama, të dua, do të vdesim”.
Ajo kishte dalë me partnerin e saj dhe disa miq nga qyteti i afërt i Caravaca de la Cruz.
“Ata shkuan sepse në Caravaca nuk ka klube nate,” i tha gazetës babai i vajzës, i quajtur Jairo. “Ishte hera e dytë që ajo ishte.”
Zjarrfikësit më në fund arritën të hyjnë në ndërtesë rreth orës 08:00 dhe zbuluan katër trupa, pastaj dy të tjerë rreth 40 minuta më vonë. Ata vazhduan të gjenin trupa ndërsa kontrollonin ndërtesën.
Katër persona po trajtohen në spital për thithjen e tymit dhe një vend sportiv lokal po përdoret për të ofruar këshillim për të prekurit. Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin. Diego Seral, i policisë kombëtare, tha se “dëmtime të konsiderueshme strukturore” shkaktuan shembjen e klubit të natës.
Bashkia e Murcias tha se shpreh keqardhje të thellë për ngjarjen dhe shprehu ngushëllime për të prekurit.
“Jemi të shkatërruar”, tha kryetari i bashkisë së Murcias, Jose Ballesta në kanalin televiziv spanjoll 24h, duke shtuar se ekipet e shpëtimit ishin ende në kërkim të disa personave të raportuar të zhdukur.
Ai ka dekretuar tre ditë zie në Murcia.
Të afërmit po mbërrijnë në vendngjarje për të gjetur të dashurit, shtoi ai.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez gjithashtu ndau ngushëllimet e tij në X, platforma e njohur më parë si Twitter. Ai tha se qeveria federale do të mbështesë qeverinë Murcia me përpjekjet e tyre të rimëkëmbjes.
Presidenti rajonal i Murcias, Fernando Lopez Miras, deklaroi se ditët e zisë do të shtrihen në të gjithë rajonin dhe flamujt e ndërtesave publike do të valëviten në gjysmështizë./Opinion.al