Një 42-vjeçar kishte bërë gati të gjitha dokumentet për të trafikuar një 26-vjeçare tajlandeze për prostitucion, por plani i ka dështuar, pasi është arrestuar në Aeroportin e Rinasit. Mësohet se është arrestuar S. O., 42 vjeç, banues në Suedi.
Nga sa bën me dije Policia e Shtetit 42-vjeçari i ka siguruar dokumente të falsifikuara 26 vjeçares, me të cilën ka udhëtuar nga Turqia drejt Shqipërisë. Ndalesa e tyre do të ishte Suedia, me qëllim shfrytëzim për prostitucion. Në kuadër të këtij operacion, janë sekuestruar mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të falsifikuara, që dyshohet se 42-vjeçari ia jepte shtetasve të ndryshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin.
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “False”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Komisariati i Policisë Rinas.
Vihet në pranga një 42-vjeçar (shtetas suedez) që ndihmoi një shtetase tajlandeze, që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme, duke i siguruar asaj, dokumente identifikimi të falsifikuara.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 42-vjeçari do ta trafikonte këtë shtetase, në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion.
Sekuestrohen mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara, që dyshohet se 42-vjeçari ia jepte shtetasve të ndryshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonin dy shtetas, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “False”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. O., 42 vjeç, banues në Suedi.
42-vjeçari i ka siguruar dokumente të dyshuara të falsifikuara një shtetaseje tajlandeze 26 vjeçe, me të cilën ka udhëtuar nga Turqia drejt Shqipërisë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 42-vjeçari i kishte siguruar dokumentet e falsifikuara kësaj shtetasje, me qëllim për ta trafikuar në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 42-vjeçari iu siguronte dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, edhe shtetasve të tjerë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë./Opinion.al