Më shumë se 100 njerëz kanë vdekur dhe të paktën 150 janë plagosur pasi një zjarr i fuqishëm shpërtheu gjatë një dasme në qytetin Al-Hamdaniya në Irakun verior.
Zjarri shpërtheu brenda sallës së dasmës në rajonin verilindor pasi u ndezën fishekzjarre gjatë festimit, tha mbrojtja civile lokale.
Sipas mediave të huaja mësohet se 113 persona janë konfirmuar të vdekur, mes tyre edhe çifti i sapomartuar. Autoritet njoftojnë se rreth 1,000 njerëz raportohet të kenë qenë të pranishëm kur shpërtheu zjarri, nga I cili kanë mbetur të plagosur 150 persona, të paktën 50 prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Pamjet video tregojnë çiftin duke kërcyer ndërsa objektet e djegura nga zjarri bien nga çatia.
Mbrojtja civile e Irakut tha se raportet fillestare treguan se fishekzjarrët e përdorura gjatë dasmës mund të kenë qenë shkaku i zjarrit, por një hetim është hapur për këtë tragjedi.
Nga informacionet paraprake mendohet gjithashtu se materiali i paneleve mund të ketë ndihmuar përhapjen e flakëve, duke shkaktuar rënien e pjesëve të tavanit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve irakiane INA.
Ambulancat dhe ekuipazhet mjekësore vijojnë kërkimin për të gjetur të tjerë persona nën rrënoja, sipas deklaratave zyrtare.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Saif al Badr tha:
“Po bëhen të gjitha përpjekjet për t’u ofruar ndihmë të prekurve nga aksidenti fatkeq”.
Standardet e sigurisë në sektorët e ndërtimit dhe transportit të Irakut shpesh shpërfillendhe infrastruktura vendit është në gjendje të keqe pas dekadash konflikti, është rregullisht skena e zjarreve dhe aksidenteve fatale./Opinion.al