Një 21-vjeçar është arrestuar sot në kuadër të operacionit policor të koduar “Tempulli”.
Bëhet fjalë për të riun Elidon Barruku, banues në Bathore, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “prodhimi dhe shitje e narkotikëve”.
Me arrestimin e të riut, shkon në 93 numri i personave të vënë në pranga në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli”.
Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 Euro, 6000 Paund, 4 500 000 Lekë dhe 12 targa automjetesh.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.