Nga Nikola Kedhi
Herë pas here, siç ishte dhe rasti me disa të huaj të ftuar në një aktivitet të disa ish-demokratëve me vulë por pa bazë, duke qene se kakofonia e lajmeve dhe ngjarjeve bën që të harrohen shumë gjëra, duhet kujtuar se e djathta shqiptare, ajo e vërteta, nuk është aspak e izoluar siç shume kërkojnë ta paraqesin. Duke marrë parasysh të gjithë vështirësitë e këtyre dy viteve të fundit, mbështetja nga miq të vërtetë jashtë Shqipërisë ka qenë e pranishme, edhe pse jo tërësisht e mjaftueshme.
Një mbështetje për rithemelimin e PD dhe forcimin e të djathtës në bazë të disa parimeve e vlerave u pa që në kuvendin e Partisë Demokratike në prill 2022, i cili u përshëndet nga liderë tëkontinentit në politikë dhe në media.
Kryetarja e Partive Konservatore Europiane, një prej grupimeve më të mëdha të qendrës së djathtë në Bashkimin Europian, dhe sot kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, përshëndeti Kuvendin e Partisë Demokratike duke shprehur mbështetjen e saj për rithemelimin e të djathtës dhe kryetarin e PD Sali Berisha.
Më kujtohet skepticizmi im, nëse kryeministrja Meloni do të pranonte, teksa bisedoja e punonim për këtë me mikun tim eurodeputetin Carlo Fidanza, një mik shumë i mirë dhe përkrahës i madh i vendit tonë. Jo vetëm që Meloni pranoi, dhe do te kishte qenë e pranishme në Tiranë nëse partia e saj nuk do kishte Kuvendin e vetë ato ditë, por vura re dhe një entuziazëm tek miqtë italianë për përpjekjet e të djathtës shqiptare për t’u ringritur. Muaj më pas, kur mori detyrën e Kryeministres, Meloni i dërgoi letër falenderimi Berishës duke e njohur si kryetarin e PD.
Mario Fantini, një mik i mirë imi dhe i Shqipërisë, kryeredaktor i revistës më të madhe paneuropiane të së djathtës, the European Conservative dhe një nga figurat kyçe intelektuale të konservatoreve europiane, pranoi me kënaqësi të përshëndeste gjithashtu Kuvendin. Së fundmi, ai dhe mjaft intelektualë europianë dhe amerikanë kanë shprehur interes për dokumentin që ne prodhuam, Kushtetutën e Vlerave të Djathta të PD.
Në Kuvendin e prillit 2022 ishin të pranishëm një deputet i një prej partive që sot qeverisin Suedinë, Tobias Andersson, dhe një anëtar i dhomës së Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar, Lordi James Wharton, i partise qe sot qeveris Britanine e Madhe.
I njëjti reagim përkrahës ka qenë dhe nga eksponentët kryesorë të Forza Italia, të cilët dhe në 6 dhjetor shprehën publikisht solidarizim me zotin Berisha, si nga lidershipi i partisë, dhe nga ish funksionare te saj si Daniele Capezzone, ish-deputet dhe një nga zërat me influente ne Itali.
Po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar të dy forcat e qendrës së djathtë në Parlamentin Europian, si nga EPP dhe nga ECR, shprehën mbështetjen e tyre për forcën më të madhe të djathtë në Shqipëri ne bisedat që ne patëm me ta, me një delegacion te Sekretariatit te marrëdhënieve me jashtë ne PD.
Mandej, një vizitë e delegacionit të këtij Sekretariati në Austri me partinë qe qeveris sot atë vend u bë në Janar të këtij viti, e cila kaloi pa pasqyrim mediatik, por ishte një tjetër shenjë që partnerë të huaj janë të gatshëm të dëgjojnë dhe të ndihmojnë.
Së fundmi, një anëtar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin britanik vizitoi Shqipërinë, duke u takuar dhe me kryetarin e PD Berisha, dhe duke u shprehur publikisht dhe për shpalljen të papërshtatshëm për të marrë vizë për të hyrë në territorin britanik të zotit Berisha. Para pak muajsh Sekretari per marredheniet me jashte ne PD, Enri Ceno ishte ne nje takim me Sekretaren e Brendshme te Mbretërisë se Bashkuar, Suella Braverman.
Për më tepër, nënkryetari i PD Oerd Bylykbashi apo deputetë si Tomorr Alizoti janë takuar vazhdimisht si jashtë dhe brenda vendit me drejtues apo përfaqësues te vendeve aleate. Ka plot e plot raste të tjera të mbështetjes së Europianëve dhe Amerikanëve për PD dhe të djathtën shqiptare – raste të cilat me ose pa dashje sfumohen nga faktorët e ndryshëm politikë e mediatikë në vend e që mendoj do të duhet të kishin më shumë vëmendje.
Ndaj, teza e izolimit e te djathtës shqiptare, dhe me konkretisht e zotit Berisha dhe e partisë qe ai drejton nuk mendoj që qëndron plotësisht. Natyrisht, më shume mbështetje nevojitet nga partneret ndërkombëtarë, dhe me shume pune kërkohet nga PD për të bere garë të vërtetë brenda saj e për te zbatuar Kushtetutëne vlerave te djathta qe ka kërkuar dhe pranuar Doktori ne themel te partisë se tij. Shume eksponentë të EPP duhet te heqin dore nga një neutralitet qe i bën dem jo vetëm të djathtës, por mbi të gjitha demokracisë ne Shqipëri. Pjesë e EPP janë demokratët shqiptarë, dhe jo funksionarë të caktuar. Neutraliteti i deritanishëm i shumë eurodeputetëve është një përbuzje e demokratëve dhe vendimit të tyre për të zgjedhur drejtuesit që duan.
Thënë kjo, ka një vullnet te mire ne shtete kryesore europiane, si dhe ne Parlamentin Europian për te mbështetur te djathtën reale, si nga forcat e EPP dhe nga ato te ECR, nëse PD do e dojë realisht ndihmën. Ajo që shumë partnerë të qendrës së djathtë presin, me çfarë unë kam kuptuar, është një shenjë që PD është gati të kthehet në një forcë serioze qeverisëse.
Komuniteti ndërkombëtar e ka mjaft të qartë se cila është e djathta dhe opozita e vërtetë shqiptare. E dine dhe ata te huaj qe për shkak lobimesh qëndrojnë neutralë. Madje, mendoj, e kuptojnë dhe dëmin e madh qe i bëjnë shtetit shqiptar duke ndihmuar zgjatimet e qeverise në opozitë.
Gjithsesi, unë mbetem i bindur që me ose pa ndihmën e ndërkombëtareve, barra i mbetet te djathtës për t’u kthyer në alternative tërheqëse, duke krijuar ekip frymëzues, pa hije korrupsioni, manipulimi zgjedhjesh brenda vetes dhe me njëfilozofi politike të qartë. Elektorati blu dhe gri po bërtasin me largimin dhe bojkotin e tyre prej një dekade për këtë gjë. Progresi me miqtë e huaj dhe aleatet është i lidhur pazgjidhshmërisht me progresin që ndodh brenda Shqipërisë, si në zhvillimet ne PD dhe për fatet e vendit.
Të djathtën e rikthen në pushtet vizioni i shpalosur ne Foltore, ekipi i ri i premtuar i dalë nga gara e pastër brenda partisë dhe zbatimi i Kushtetutës se djathte te prezantuar në mars. Kjo krijon frymën dhe besimin, që më pas ngrenë njerëzit në proteste dhe qe u jep kurajën te refuzojnë ofertat për votën e tyre. Kjo gjithashtu u heq justifikimet dhe atyre te huajve qe lobimi i shtyn drejt neutralitetit apo mbështetjes se gabuar te atyre qe nuk lejojnë te djathtën te forcohet.
Nëse i referohemi muajve te pare te Foltores, kishte një entuziazëm te jashtëzakonshëm, qe thyente pesimizmin dhe apatinë në të cilën kishte rene shoqëria shqiptare ne dekadën e fundit. Kjo ndodhi pikërisht për atë qe premtohej ne ato takime. Unë deri dikur mund të kuptoj dhe përse ai entuziazëm u zbeh në vitin e fundit, me të gjithë vështirësitë që u ndesh PD, si nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Por, rithemelimi i të djathtës, rikthimi i debatit dhe ideve politike ne vend, një ekip i ri dhe një elitë e re (me duhet ta theksoj jo domosdoshmerisht në moshë, por në mendim e veprim), serioze, e aftë dhe e djathtë do të ishin trashëgimia politike më e madhe që Sali Berisha do t’i linte vendit dhe te djathtës – e ngjashme me atë të Silvio Berlusconit ne Itali.
Partia Demokratike ka ende pak kohe për ta realizuar këtë. Shtatori deri në dhjetor do të duhet të jenë periudhë e një pune të jashtëzakonshme për te forcuar strukturat ne çdo bashki, për të shkuar drejt qytetarit në një komunikim të vazhdueshëm e jo veç për fushatë, për të afruar vullnetarë në këto degë lokale, për t’u përmirësuar dukshëm në marketing, IT, komunikim politik, marrëdhënie ndërkombëtare, për të hequr dorë nga mënyra e fushatave të viteve ’90 e për të ardhur në shekullin e 21, dhe për të vendosur një prezencë të ndjeshme territoriale ne çdo cep të Republikës. Nëse PD nuk riformaton strukturën dhe organizimin e vetë, duke u kthyer në një parti moderne si simotrat e saj, çdo diskutim mbi ardhjen e saj në pushtet është i kotë. PD në terren nuk është askund. Ky është një fakt trishtues, por kokëfortë gjithsesi. Dhe vakumi i lënë nga PD, shpeshherë mbushet nga ofertat monetare e trysnitë e faktorëve të tjerë politike dhe apolitikë. PD duhet të jetë aty jo vetëm për të përçuar idetë e saj të djathta për mënyrën se si duhet të qeveriset vendi, por dhe për të adresuar problemet e qytetarëve, për të parandaluar shitblerjen e votës, manipulimin dhe trysninë në të cilën gjenden qytetarët.
Dëgjoj shpesh se ideja e ngritjes se frymës dhe debati përrikthimin e ideve politike është i kotë për sa kohe manipulohen zgjedhjet ne një shkallë të lartë. Zgjidhja që propozohet janë protestat dhe mosbindja civile. Por si mund te vijnë njerëzit në protesta pa krijuar më parë frymën dhe besimin? Si do binden njerëzit pasi janë zhgënjyer me protesta – koncerte pa fund e premtime të gjithfarëllojshme për 10 vite, që kësaj radhe PD e ka me tërë mend, nëse nuk provohet me vepra që është ashtu? Si mund të jenë akuzat për blerje votash të besueshme, kur në PD ende vazhdojnë, me ose pa të drejtë, hijet e manipulimeve për garat brenda partisë? Si mund të merret seriozisht një parti, burokratët e të cilës dalin dhe thonë do të bëjmë një program, e do të kemi ide e propozime, ndërkohë kryetari i partisë ka botuar një dokument që përmban vizionin politik dhe ideologjik të partisë? Si mund t’i besohet një formacioni politik që nuk është i qartë ideologjikisht, pretendon të jetë i djathtë, ndërkohë bën propozime të majta sepse mendon se kështu merr vota, pa e kuptuar që humbet më shumë se fiton në këtë mënyrë? Të tëra këto pyetje i ngre çdo individ që dëshiron të votojë Partinë Demokratike, por stepet kur sheh një apati dhe mungesë reagimi të frikshme.
Politika ka ligjet e saj. Po ashtu beteja politike dhe frymëzimi i njerëzve. Nëse nuk bindet elektorati blu dhe gri që te PD diçkaka ndryshuar, asnjë protestë dhe asnjë veprim i mosbindjes civile nuk kanë për të qenë të suksesshëm. Dhe nëse nuk krijohet fryma, qe ngre njerëzit ne krahë të një force politike, nuk ka ndërkombëtar qe merr përsipër t’i dalë asaj force në krahë, me gjithë dëshirën e mirë, sidomos duke marrë në konsideratë këtë situatë aspak tipike në të cilën gjendet PD.
Forca më e madhe opozitare ka çdo faktor politik, mediatik dhe një pjesë të mirë të atij diplomatik kundër. E tregoi 14 maji më së miri. Por ka vetëm një aleat potencial, i cili nëse krijon besim,nuk e tradhton, dhe ai është elektorati blu dhe gri. Nuk është e drejtë situata në të cilën gjendet PD e vërtetë, por ky është realiteti. Në politikë duhet të imponohesh me numra, dhe numrat arrihen duke fituar besimin, me aftësi, analizë, me ide, me koherencë, me punë, pa arrogance, pa vetë sabotim, dhe pa u tallur me ata që duan të të votojnë. PD nuk ka nevojë për ata që i rrinë afër kryetarit duke miratuar çdo gjë, dhe as për ata që shohin interesin e vogël. PD nuk ka nevojë për burokratë, po për politikanë, njerëz me stof politik, që kuptojnë real politikën, diplomacinë, që janë me këmbë në tokë dhe dinë të analizojnë situatën në të cilën gjendet vendi dhe partia e tyre dhe të veprojnë përkatësisht me seriozitetin e duhur dhe strategjinë e nevojshme.
Vjeshta është kohë prove për te djathtën shqiptare dhe përliderin e saj Berisha. Qe ne 2025 mos te jemi duke diskutuar te njëjtën histori, unë uroj qe reflektimi i shume folur te kthehet ne aksion politik përpara se pushimet e dimrit te zëvendësojnë ato të verës, dhe nga Shqipëria te jene larguar dhe disa dhjetëramijëra individë te tjerë. Gjithmonë nëse opozita e ka seriozisht.