Një 22-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare të Muriqanit, pasi ishte i shpallur në kërkim nga Policia e Krujës.
Uniformat blu bëjnë me dije se i riu u shpall në kërkim pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga gjykata, për veprën penale “Kultivim të bimëve narkotike”.
“Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, krahas angazhimit për t’iu ofruar shërbim korrekt shtetasve që hyjnë ose dalin nga kjo pikë e kalimit kufitar, vijojnë kontrollet dhe verifikimet e imtësishme për goditjen e paligjshmërive dhe për kapjen e shtetasve në kërkim që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.
Si rezultat i verifikimeve dhe i shkëmbimit të informacioneve me Komisariatin e Policisë Krujë, u kap dhe u ndalua shtetasi, 22 vjeç, banues në Krujë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga ky Komisariat, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, nuk është gjetur në banesën e tij, ku duhej të kryente masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike””, tha policia.
Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga Komisariati i Policisë Krujë./Opinion.al