Papa Françesku , duke njoftuar se do të nxjerrë një dokument të ri për mbrojtjen e natyrës, tha sot se po e bën këtë sepse po zhvillohet një “luftë e tmerrshme globale” kundër mjedisit.
Duke folur në seancën e përgjithshme të së mërkurës, Françesku tha se dokumenti do të lëshohet më 4 tetor , ditën e festës së Shën Françeskut të Asizit, shenjt mbrojtës i mjedisit.
Do të jetë një vazhdim i enciklikës së tij e cila fletpër nevojën për të mbrojtur mjedisin nga rreziqet dhe sfidat e ndryshimeve klimatike dhe për të reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile.
Papa ka thënë se dokumenti i ri do të jetë një “përditësim” i “Laudado Si” të vitit 2015 me çështje aktuale. Duke e përshkruar natyrën si një “dhuratë të shenjtë nga Krijuesi”, Papa u bëri thirrje njerëzve të marrin anën e “viktimave të padrejtësisë mjedisore dhe klimatike “. Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund ” luftës së pakuptimtë kundër shtëpisë sonë të përbashkët , është një luftë e tmerrshme botërore”.
Në tetë vitet që nga botimi i “Laudado Si”, Komuniteti global ka parë një rritje të ngjarjeve ekstreme të motit : valë të nxehtit më intensive dhe të zgjatura, zjarre më të shpeshta në pyje, uragane më të rënda.
Françesku tha muajin e kaluar se këto fenomene tregojnë se nevojiten veprime më urgjente për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe u bëri thirrje liderëve botërorë të “bëjnë diçka më të prekshme për të kufizuar emetimet ndotëse”.
Ai tha se dokumenti i ri do të ishte një nxitje apostolike, një formë tjetër e dokumentit papal.
Pasi u botua “Laudado Si”, disa katolikë konservatorë së bashku me lëvizjet politike konservatore dhe interesat e biznesit, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, kritikuan ashpër Papën për mbështetjen e pikëpamjes së shumicës së shkencëtarëve që thonë se ngrohja globale është të paktën pjesërisht e shkaktuar nga njeriu./Opinion.al