Babai i 23-vjeçarit, Klajdi Bitri, që u vra dy ditë më parë në Itali në përpjekje për të shpëtuar mikun e tij italian kërkon ndihmën e shtetit për të sjellë trupin e të birit në atdhe.
Në një deklaratë për mediat, Agim Bitri thotë se i biri kishte 6 vite që punonte në Itali me djersën e ballit, ndërsa thekson se e vranë pa faj.
“Më ka ndodhur një fatkeqësi e madhe. Nuk ia uroj as hasmit. Vajti për të ndarë një sherr e ma qëlluan e ma vranë, pa faj. Unë fëmijët i kam rrit me edukatë. Ka 6 vite që punonte në Itali me djersën e ballit”-tha Agim Bitri.
Më tej ai thotë se bashkëshortja nuk e di ende se çfarë ka ndodhur.
“Ishte në lule të rinisë. Fëmija im nuk arriti të shijonte jetën Nuk duhej ti ndodhte kjo. Më mirë të kishte ndodhur mua.Trupi të më vijë sa më shpejt. I kërkoj ndihmë shtetit. Gruaja ende nuk e di, po e mbajmë me gajret nëpër spitale. Unë kam dalë jashtë e flas jashtë dhe kam dy ditë që qaj mbyturazi” – thotë Agim Bitri duke iu dridhur zëri.