Lionel Messi u transferua këtë merkato në Amerikë dhe gjithë vëmendja e mediave të këtij vendi të madh është fokusuar te kampioni i botës, i cili duket se e ka nisur mjaft mirë aventurën e re, duke gjetur golin që në ndeshjen e parë.
Në një intervistë për Titan Sports, gazetari e pyeti “pleshtin” për lojtarët më të mirë me të cilët ka pasur fatin të luante dhe argjentinasi nuk ngurroi të numëronte disa prej tyre.
Dhe ashtu siç mund të mendohej fare thjesht, pothuajse të gjithë ishin bashkëlojtarë të Barcelonës, ku Messi luajti 778 ndeshje dhe shënoi 672 gola.
“Ronaldinho, Deco, Eto’o, Suarez, Xavi, Iniesta, Busquets. Isha me fat që luaja me lojtarët më të mirë dhe kënaqesha duke punuar me ta. Meqë ra fjala, desh harrova Neymarin, sepse kishte shumë nga më të mirët. Duhet të ketë shumë lojtarë që harrova të përmend. Isha me fat që luaja me lojtarët më të mirë, me sulmuesit më të mirë. Mes tyre janë Neymar, Eto’o, Suarez, Ibrahimovic, David Villa e shumë të tjerë. Ishte gjithmonë e lehtë të luaja me ta”,-u shpreh Messi.