Teksa në parlament po diskutohet për projektligjin për studentët e mjekësisë, të cilët do të marrin diplomën pasi të kenë shërbyer 5 vite në Shqipëri, këta të fundit kanë dalë në protestë, ashtu siç kishin paralajmëruar.
Fillimisht studentët e mjekësisë u mblodhën para fakultetit dhe më pas kanë nisur marshimin e tyre, drejt Kuvendit.
Me pankartat në duar që shkruanin:“Bashkohuni me ne!”,“E duam Mjekësinë si gjithë Europa” ata kundërshtojnë projektligjin e qeverisë.
Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama bëri me dije se studentët që do të regjistrohen rishtazi në Fakultetin e Mjekësisë, duhet të nënshkruajnë një kontratë, që i mban të lidhur për 5 vite në ushtrimin e profesionit në Shqipëri. Në të kundërt ata duhet të paguajnë tarifën reale për të ndjekur studimet.
Ata që janë duke vazhduar studimet, duke nisur nga viti i dytë e deri në të katërtin, kjo kohë do të jetë 3 vite, ndërsa për vitet e 5 dhe të 6, ushtrimi i profesionit me detyrim do të jetë 2 vite. Këto masa shikohen nga qeveria dhe dikasteret përkatëse, si të duhura për të frenuar emigracionin e bluzave të bardha. Duke nisur nga ky vit i ri akademik, janë rritur edhe kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë.