Një 28-vjeçar shqiptar mbeti viktimë e një aksidenti të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Breshia të Italisë.
I identifikuar si Iralt Merdita, i riu po udhëtonte me një motor tip “Honda” përgjatë provincës 668 të Lenos për të mbërritur në shtëpi pas mbylljes së orarit të punës.
Sipas mediave të huaja, ai u përplas me një automjet tip “Volkswagen Passat” në një karburant, aksident i cili i shkaktoi lëndime shumë të rënda. Menjëherë pas ngjarjes ai u transportua në spital ku iu dha ndihma mjekësore e nevojshme por ndërroi jetë ditën e sotme nga plagët e marra.
Me profesion mekanik, 28-vjeçari jetonte në Ghedi dhe kishte disa muaj që punonte në servisin Warner Car në Leno. Në vetëm tre muaj kishte fituar besimin dhe vlerësimin e kolegëve dhe të pronarit të cilët e cilësojnë atë si një njeri të përgjegjshëm dhe të arsimuar.
“Ishte djalë shumë i mirë: i arsimuar, i përgjegjshëm, i disponueshëm”, tha i prekur pronari i tij.
Dinamika e aksidentit dramatik, që ndodhi në orën 20 të së mërkurës së 21 qershorit, është ende duke u shqyrtuar nga karabinierët e Dellos, pasi nuk ka pasur dëshmitarë dhe karabinierët po shqyrtojnë kamerat në zonë për të sqaruar shkaqet.
Gruaja pas timonit të Passat-it, një 40-vjeçare shqiptare nga Leno, ka pësuar tronditje të rëndë dhe është dërguar në spital për mjekimin e nevojshëm./Opinion.al