Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Bexhet Pacolli, ka publikuar fotografitë e tre personave që kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksidenti të ndodhur në lumin Lepenc në Maqedoninë e Veriut.
Nga tragjedia në lumin Lepenc, ndërruan jetë Naim, Merita dhe Ermal Pacolli. I vetmi që mundi të shpëtojë ishte Shpëtim Pacolli.
“Viktimat e familjes Pacolli, të prehen në paqe në atdhe. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve! Një tragjedi që na prek të gjithëve”, ka shkruar Pacolli në Facebook, teksa publikon fotot e viktimave.
Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Shkup-Bllacë, ku një veturë e tipit “BMW” nga Kosova përfundoi në lumin Lepenc, pasi u përplas me një tjetër mjet.