Deputeti demokrat, Asllan Dogjani, në seancën parlamentare, të ditës së sotme, u shpreh se ai është i gatshëm për të marrë armët për të luftuar për Kosovën.
Gjatë fjalës së tij, Dogjani theksoi se sot ne kuvend duhet të ishte mbajtur një seancë jashtë radhe për të mbajtur një qëndrim ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Më tej, ai theksoi se ka kërkuar që Kuvendi të dalë me një rezolutë për të dënuar dhunën ndaj policisë së Kosovës dhe KFOR-it.
“Po qe se do të jetë nevoja për të marrë armët, për të shkuar, për të luftuar për Shqipërinë dhe për Kosovën, po unë jam i pari që i marr armët.
Ne kuksianët i kemi marrë armët gjatë luftës për çlirimin e Kosovës ku janë vrarë disa të rinj kuksianë për çlirimin e Kosovës. Kemi pritur mbi 500 mijë qytetarë, shqiptarë të Kosovës, që u përzunë nga Millosheviçi dhe ministri i tij Vuçiçi që sot po i sulmon sërish shqiptarët në Kosovë. Po zotëri që fole para meje, po. Unë e marr armën për të luftuar për Kosovën. Përsa i përket që unë jam i ri në këtë parlament absolutisht nuk kam ardhur me votat tuaja, por me votat e demokratëve të Kamzës dhe qytetarëve të Tiranës. Do të bëj gjithçka për të mbrojtur interesat e tyre.
Sot zotërinj nuk është koha për luftë, sot është koha që ne si parlament sot nuk duhet të ishim duke diskutuar këto projektligje por duhet të bënim një seancë jashtë radhe për të mbajtur një qëndrim ndaj shqiptarëve të Kosovës. E kam thënë dhe herë të tjera që jemi me aleatët tanë shumë të rëndësishëm, SHBA-së dhe BE-së. Ne nuk po analizojmë as veprimet e Albin Kurtit, por ne kërkojmë që kryeministri jonë mos të bëjë paçavure, platforma, por të jetë transparent me ne. Po ju them, të dalim me një rezolutë që të dënojmë dhunën e ushtruar në Kosovë nga grupet e organizuar kriminale dhe të mbështesim shqiptarët e Kosovës”, tha Dogjani.