Një 23-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në punë në Itali. Mediat italiane shkruajnë se Sami Macakulli humbi jetën pasi u rrëzua nga një shtyllë e tensionit të lartë në një lartësi prej 45 metrash.
Aksidenti tragjik ndodhi pak pas orës 16:30 të së martës në rrugën Padana Superiore në Castegnato, në zonën e Brescias.
Përplasja në tokë ishte fatale për të riun i cili humbi jetën menjëherë.
Sipas një rikonstruksioni fillestar të ngjarjes, Macakulli ishte siguruar me një kabull të gjatë që është këputur për arsye që nuk janë përcaktuar ende.
Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan 2 ambulanca dhe ekipi mjekësor, por nuk mundën të bënin dot asgjë për të riun shqiptar.
Për zbardhjen e aksidentit dramatik që i kushtoi jetën punëtorit, i cili po kryente punë mirëmbajtjeje për llogari të firmës italiane “Coget Impianti” do të jenë hetimet e karabinierëve që do japin detaje./Opinion.al