Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka folur për mbledhjen e përbashkët të qeverisë shqiptare me atë të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar ndërsa ka shtuar se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë për të diskutuar për situatën në Veri, gjë që nuk ka patur dakortësinë e Kurtit.
“Ndjesë për këtë orë të pazakonshme, por është një komunikim i jashtëzakonshëm, i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë.
E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.
Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borrel, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë.
Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.
Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”-tha Rama.