Sezoni veror dhe përfundimi shkollës, sjell një numër të lartë të fëmijëve të punësuar në vend. Sipas inspektorëve të Inspektoratit të Punës të miturit nga 14 në 18 vjeç lejohen të punojnë sipas disa kushteve të veçanta dhe më të shumtë në këtë kohë i gjen në sektorin e shërbimit dhe fasonerisë.
Ilia Bazho, Inspektoriati i Punës: Të miturit punësohen vetëm në punë të lehta, më shumë në vendin tonë në janë të punësuar në sektorin e hoteleri turizmit, bar kafe dhe fasoneri. Ka punësime gjatë gjithë vitit, por më shumë fluks ka gjatë verës në sezonin veror.
Tre janë qytetet me numrin më të lartë të punësimeve nën 18 vjeç.
“Peshën kryesore e mban Tirana, Durrësi, Vlora pjesa që ka turizëm. Për vitin që ne flasim janë të evidentuar 19 punëmarrës nën 18 vjeç. Ndërsa për vitin 2022 janë 171 punëmarrës gjithsej”.
Sipas legjislacionit shqiptar, në Kodin e Punës , lejohet punësimi mbi 14 vjeç, por vetëm në punë të lehta dhe me orar të reduktuar prej 6 orësh në ditë. Nuk kanë munguar megjithatë as rastet e shfrytëzimit të më të miturve.
Referuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjatë viteve të fundit, konfliktet, krizat dhe pandemia COVID-19, kanë zhytur më shumë familje në varfëri dhe kanë detyruar miliona më shumë fëmijë të punojnë. 160 milionë fëmijë janë ende të angazhuar në punë. Përqindja më e lartë është në vendet me të ardhura të ulëta dhe atyre mesatare./Tv Klan