Policia ka vijuar me aksionet kundër kultivimit të kanabis sativa.
Sipas uniformave blu, rreth 700 bimë narkotike janë gjetur të kultivuara në zona të pyllëzuara të dy fshatrave të Krujës dhe malit të Bruzit.
“Skuadra të posaçme policore, të përbëra nga efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, kanë vijuar kontrollet në zonat malore të rrethit, të asistuar dhe nga dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Nga këto kontrolle, gjatë fazës së 14-të të megaoperacionit “Territor i pastër”, në territoret e fshatrave Cudhi Kamp dhe Kroi i Madh, si dhe në malin e Bruzit, Krujë, u gjetën në total, të kultivuara në tokë, 700 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa”, tha policia.
Ndërkohë 436 bimë narkotike të tjera të kultivuara janë gjetur në fshatrat Fregen dhe Gjobardhaj në Lezhë.
“Shërbime të Policisë së Lezhës, të pajisura me dronë, kanë vijuar kontrollet intensive në terren dhe nga ajri, me prioritet zonat e thella malore, me risk përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Nga këto kontrolle u finalizua faza e 13-të e megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”, si rezultat i së cilës, në 2 fshatra të njësisë administrative Ungrej, janë gjetur të kultivuara në prona publike, në total 436 bimë narkotike cannabis sativa, konkretisht:
-në fshatin Fregen, u gjetën të kultivuara 300 bimë narkotike cannabis sativa;
-në fshatin Gjobardhaj, u gjetën të kultivuara 136 bimë narkotike cannabis sativa”, tha policia,
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al