Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott ku kanë folur mbi situatën e fundit në veri.
Gjatë diskutimit, Kurti ka deklaruar se vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat veriore është e domosdoshme për largimin e elementeve kriminale por edhe për mbajtje të zgjedhjeve.
“Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugën përpara. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti, theksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara.
Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.
Kujtojmë se në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët kanë protestuar që nga data 26 maj duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e veprimeve të protestuesve mbetën të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it.
Javën që shkoi, u bë e ditur kërkesa e ndërkombëtarëve për zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës./Opinion.al