Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kja reaguar lidhur me tensionet e krijuara në Veri të Kosovës.
Erdogan thotë se përparimi në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, është mënyra e vetme për paqe afatgjatë dhe stabilitet në rajon.
Në një postim në “Twitter”, Presidenca turke deklaron se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.
Sipas njoftimit, Erdogan ka theksuar se Turqia është e gatshme të kontribuojë në procesin e dialogut.
Turqia i bashkohet kështu reagimeve nga vendet e Perëndimit që bënë thirrje për kthim në dialogun e Brukselit dhe qetësim të situatës në tri komuna në veri të Kosovës, në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.
Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri.
Në këto komuna, të banuar me shumicë serbe, që nga 26 maji janë zhvilluar protesta nga serbë lokalë që kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.
Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj dhe më 31 maj bëri të ditur se një polic ka mbetur i lënduar nga sulmet e kryera ndaj tri veturave të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.