“Ju ishit misionarë të vërtetë të një modeli të paparë”, kështu i ka quajtur ish-kryeministri Sali Berisha kandidatët që garuan për koalicionin “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Në një mbledhje që po zhvillon këtë të hënë, Berisha i kërkoi kandidatëve të vazhdojnë misionin e tyre, pasi e cilëson Shqipërinë një vend ku pluralizmi dhe demokracia janë në shkatërrim.
Ai thotë se është duke mbrojtur votën, por jo me armë, pasi sipas tij opozita përfaqëson parimet demokratike.
Sipas ish-kryeministrit, për sa kohë qeveris Edi Rama nuk mund të garantohen zgjedhje të lira.
Ai thekson se duhet të përgatiten që të ngrenë partinë në një nivel tjetër administrativ dhe të bëjnë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë.
“Unë u them kandidatëve dhe kryetarëve që fituan, në këtë fushatë, të cilët e nisët pasi u votuat si kandidatë të primareve, ju ishit misionarë të vërtetë të një modeli të paparë.
Misionarë të modelit të lirisë, por unë u ftoj ju, ftoj kryetarëve e degëve dhe të gjithë demokratët të vazhdojmë misionin tonë.
Ua them këtu haptas, se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka, e kam deklaruar disa herë.
Në emër tuaj kam deklaruar se do mbroj votën dhe atë po bëj. Nuk e mbrojmë me armë, ne jemi opozitë e parimeve demokratike, nuk jemi as guerrilas, as parti e pushtetit me dhunë, përkundrazi ne jemi opozitë demokratike.
Por, në këto kushte, unë u ftoj ju të qëndroni si misionarë sepse Shqipëria, pluralizmi dhe demokracia janë në shkatërrim.
Ishte shumë e veçantë kur ju garonit kundër rivalëve tuaj dhe nuk kishim gjëkundi një këshilltar që të na informonte për të gjitha keqbërjet e këshillit dhe kryetarit. Sot kemi këshilltarë, edhe ata janë misionarë.
Ky mision ka një qëllim të pandryshueshëm. Qëllimi është rikthimi i votës së lirë te shqiptarët dhe votë të lirë me Edi Ramën kryeministër nuk ka. E kemi thënë dhe do e themi, nuk do tallemi me veten tonë.
Si misionarë duhet të përgatitemi krahas përpjekjeve për një analizë sa më serioze të problematikave tona të brendshme, që të ngremë partinë në një nivel tjetër administrativ, të përtërimë siç erdhët ju me primaret, të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë.
A e kemi bërë ne këtë? Jo. A e ka bërë për PD? Jo. Nëse në vitin 2021 në prill, të cilat ishin zgjedhje politike, PD do mbronte votën, do derdhej në rrugë, këto probleme që ndodhën, nuk do ndodhnin kurrë në këtë shkallë.
Por PD nuk e bëri këtë. Nuk e bëri as në vitin 2019.
Tani nuk mund të qëndrojmë vetëm në fushën e fjalëve. Vlerësoj çdo propozim për përmirësim maksimal të punës sonë. Por ju garantoj se me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrat, t’i drejtohet fibrës së tij politike, ndërgjegjes së tij politike, të mos harrojë këtë gjë”, tha Berisha./Opinion.al