Një vajzë e re futet në zyrën e regjistrimeve të Univesitetit Humbold në Berlin dhe flet me punonjësen.
Mirëdita, kam ardhur të regjistrohem në universitet. Sa kushton?
Nuk kushton asgjë. Regjistrimi është falas, thotë punonjësja.
Studime falas?
Po. Mos u çudisni. Sepse arsimi i lartë në shkollat dhe universitetet publike nuk kushton gati asgjë në Gjermani. Është thuajse falas.
Vajza e re është Hannah Hummel, reportere e Deutsche Welle-s. Ajo është autore e këtij shkrimi për Deutsche Wellen lidhur me kryerjen e studimeve në Gjermani.
Për të studiuar në Gjermani paguhet vetëm një tarifë semestri me vlerë nga 200 deri në 400 euro. Këto para janë për administrimin e studimeve, transportin publik dhe organizatat e studentëve. Përjashtim bëhet vetëm nga landi Baden Vurtemberg.
Gjermania ka 400 shkolla të larta dhe universitete. Universitetet përqëndrohen kryesisht në arsimimin akademik, kurse shkollat e larta orientohen më shumë në praktikë. Megjithatë diplomat që merren si në shkollën e lartë ashtu dhe në universitet janë të njëjta.
Një studim për bachelor zgjat zakonisht gjashtë semestra, pra tre vjet. Një semestër është gjashtë muaj, semestri dimëror fillon kryesisht në shtator, ai veror në mars. Shumë studentëve u duhet më shumë kohë, deri tetë semestra për të përfunduar studimet për bachelor. Kjo nuk përbën problem.
Falas edhe për studentët e huaj
E njëjta gjë vlen edhe për studentët që vijnë nga vendet e tjera për të studiuar në Gjermani. Sepse edhe studentët e huaj nuk paguajnë për të ndjekur studimet në universitetet dhe shkollat e larta gjermane. Kjo ka bërë që Gjermania të jetë një ndër vendet më të preferuara të botës për të ndjekur studimet universitare.
Në Gjermani studiojnë aktualisht gjysmë milioni studentë të huaj, shumica e të cilëve studiojnë në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë. “Studentët e huaj ndihmohen me bursa, konsultime dhe përkrahje deri sa të mësohen,” thotë Hannah Hummel, e cila ka kryer vetë studimet në Gjermani.
Siç ka studentë të huaj që studiojnë në Gjermani, ka edhe të rinj gjermanë që shkojnë për studime në vende të tjera.
Bashkimi Europian ka organizuar programe siç është Erasmus për t’u mundësuar të rinjve të studiojnë një semestër ose një vit në një vend tjetër të Bashkimit Europian. Programi ofron përkrahje financiare për studentët që duan të shkojnë në vende të tjera.
“Unë e kam bërë vitin e Erasmusit këtu në Berlin,” tregon Hannah Hummel e Deutsche Welles.
Studimet janë falas, por kostot e jetesës mund të shkojnë deri në 1000 euro në muaj, në varësi nga vendi ku jeton. Këto para duhen për qeranë, ushqimin, librat e shkollës dhe jetesën në kohën e lirë. Kështu që pjesa më e madhe e studentëve punojnë për të mbuluar shpenzimet e jetesës.
Po jetesa e studentëve?
Hannah Hummel na tregon tani për Studierendenwerk, një organizatë që merret me të gjitha çështjet e tjera të studentëve, përveç studimit. Ajo takohet me Jana Judisch. “Arsimi konsiderohet vlerë publike në Gjermani, kështu që kujdesi për studentët shihet si vlerë publike. Ne kujdesemi për studentët duke u marrë me çdo gjë tjetër që nuk ka lidhje me leksionet dhe fushën kërkimore. Ne kujdesemi për banimin, mencën, konsultimet,” tregon Jana Judisch.
Por ajo që shumë studentë të huaj nuk e dinë është se regjistrimi në shkollë nuk ka të bëjë me akomodimin. Marrja e vendit të studimit nuk është e lidhur automatikisht me një vend fjetjeje në konvikt. Shumë studentë të huaj e mësojnë këtë vetëm kur mbërrijnë në Gjermani për të filluar studimet. “Shpesh unë marr E-mail që thonë “Vij javën tjetër, më tregoni ju lutem dhomën. Unë i përgjigjem duke u thënë se ne nuk kemi dhoma këtu që presin të vini ju. Ju jeni një vit e gjysmë me vonesë. Shkoni gjeni një dhomë në tregun e lirë, ne nuk iu ndihmojmë dot,” tregon Jana Judisch nga Studierendenwerk Berlin.
Pra kush nuk merr ndihmë për të gjetur dhomë nga Studierendenwerk duhet të kujdeset vetë për banimin. Pjesa më e madhe studenëve jetojnë në banesa që ndahen mes disa vetëve, për të ndarë shpenzimet. Por banesat janë duke u shtrenjtuar në Gjermani. Mynihu dhe Shtutgarti janë qytetet më të shtrenjta për të studiuar, pasuar nga Berlini.
Qytetet që kanë qenë dikur Gjermani lindore e kanë jetesën më të lirë.
Gjuha të ndihmon
Që të studiosh në Gjermani nuk duhet patjetër të flasësh gjermanisht rrjedhshëm. Sepse shkollat e larta dhe universitetet ofrojnë klasa speciale në gjuhën angleze dhe detyrat studentët mund t’i dorëzojnë në anglisht.
Megjithatë pjesa më e madhe e universiteteve kanë gjuhë kryesore gjermanishten.
Hannah Hummel na jep disa fjalë që mirë është t’i dini kur doni të studioni në Gjermani.
Hörsaal: Ta përkthesh fjalë për fjalë, do të thotë sallë dëgjimi, por në fakt është salla e leksionit.
Mensa: Është menca ku studentët hanë drekën
Ersti: fillestarë! Studentët e semestrit të parë.
Pak histori
Universiteti më i vjetër në Gjermani është ai i Heidelbergut, hapur në vitin 1389. Universitetet e Këlnit dhe Erfurtit janë hapur menjëherë pas tij.
Universiteti i parë në Europë është hapur në Bolonjë, Itali, një mijë vjet më parë.
Arsimi i Lartë ka qenë çështje burrash. Gruaja e parë që ka shkuar në klasë në universitet ka qenë në shekullin e 19-të në Zvicër. Johanna Kappes ka qenë gjermania e parë studente, në vitin 1900. Sot, numri i grave që ndjekin arsimin e lartë në Gjermani është pak më i lartë se sa numri i burrave./ DW