Një 28-vjeçare shqiptare e Kosovës, ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj. Sipas raportimeve të mediave gjermane ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën në parkingun e një dyqani në Aachen të Gjermanisë.
Raportohet se çifti janë nga Mitrovica, ndërsa viktima është identifikuar si Jetmira Beka, nënë e tre fëmijëve. Disa orë pas krimit u vetëdorëzua në polici 37-vjeçari, ish-bashkëshorti i të ndjerës, që dyshohet se vrau të renë.
Dëshmitarët panë aktin e përgjakshëm në parking dhe lajmëruan policinë dhe ekipet e shpëtimit, mirëpo, të gjitha përpjekjet për t’i shpëtuar jetën 28-vjeçares kanë qenë të kota.
Kryeprokurorja e Aachenit, Katja Schlenkermann-Pitts tha se rrethanat e sakta dhe motivi i krimit ishin fillimisht të paqarta.
Ajo gjithashtu nuk dha asnjë informacion se çfarë lloj arme përdori sulmuesi që i mori jetën të resë.
Trupi i viktimës të hënën pritet t’i nënshtrohet autopsisë. Vetëm atëherë prokuroria publike do të japë detaje të tjera për veprën e përgjakshme.