SPAK tashmë ka regjistruar procedim penal për Fredi Belerin, i cili rezultoi fitues në Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 14 Majit. Sikurse u bë me dije në seancën ku u dha masa e sigurisë ndaj tij, çështja kaloi nga Prokuroria e Vlorës për në SPAK.
Ndërkohë, brenda 10 ditëve Beleri do përballet me Gjykatën e Posaçme, për rivlerësim të masës së sigurimit.
Kujtojmë se Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje. Arrestimi i tij erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit.
Ndërkaq, mediat greke raportuan se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë greke për Punët e Jashtme, Theocharis Lalakos, do të vijë në Shqipëri ditën e sotme dhe së bashku me ambasadoren greke në Shqipëri do të takojnë kryebashkiakun e sapozgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Sipas informacioneve, takimi vjen pas udhëzimeve të ministrit grek Nikos Dendias.
Beleri u bë pjesë e debatit politik disa javë më parë edhe për shkak të një deklarate që bëri gjatë një interviste për gazetën greke ‘Protothema’, në të cilën ai përmendi një plan për helenizimin e Himarës.