Pas rikonfirmimit në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë rivalëve të tjerë që garuan për Bashkinë e Tiranës.
Në fjalimin e fitores nga oborri i selisë rozë, Veliaj kërkoi nga kandidatët e tjerë që të bashkëpunojnë Këshillin Bashkiak të Tiranës.
“Dua që të përdor këtë mundësi t’i shtrij dorën e bashkëpunimit të gjithë atyre që kandiduan për Bashkinë e Tiranës, dua t’i shtrij dorën e bashkëpunimit Belindit, Arlindit, Rolandit, dua t’i shtrij dorën e bashkëpunimit Markos, Lajlës. Ne nuk jemi armiq, jemi gdhirë në të njëjtin qytet. Kalojmë në të njëjtat rrugë, do të kemi të njëjtat probleme.
Shpresoj shumë që ta pranojnë këtë ofertë, që të bashkëpunojmë, mos të hyjmë në një Këshill Bashkiak ku vazhdon avazi i vjetër i përçarjes dhe i ndasisë. Ne nuk kemi nevojë për të tjerë në Këshill Bashkiak, por kemi dëshirë që të bashkëpunojmë me të tjerë në Këshill Bashkiak. Falë mbështetjes së jashtëzakoshme që na kanë dhënë qytetarët duke votuar logon e PS për Këshillin Bashkiak, ne sot kemi dhe një shumicë vendimtare në Këshillin Bashkiak. Një shumicë që na lejon që të këtë vizion, këto premtime, këto projekte të vazhdojmë t’i çojmë përpara. Ne nuk kemi nevojë në sensin e numrave për vota të tjera në Këshillin Bashkiak, por kemi një dëshirë shumë të madhe që të bëjmë një fillim të ri, të kemi një traditë të re ku nuk vazhdon më kënga e Ilirit dhe Saliut, tani e përkthyer në Këshillin Bashkiak”, tha Erion Veliaj.