Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali, ku si pasojë ka humbur jetën një 24-vjeçar shqiptar dhe janë plagosur dy të tjerë.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, kur makina Mercedes me të cilën po udhëtonte 24-vjeçari Qerim Gjepali, banues në Massa Lombarda ka dal nga rruga dhe më pas është përplasur me një pemë.
Përplasja e fortë shkaktoi vdekjen e menjëhershme të 24-vjeçarit shqiptar.
Makina drejtohej nga një bashkatdhetar 23-vjeçar, i cili në përplasjen e rëndë pësoi trauma mjaft të rënda që bënë të nevojshme transportimin e menjëhershëm në spital.
I plagosur me lëndime të lehta ka mbetur edhe 19-vjeçari me origjinë rumune, i cili ndodhej në sediljet e pasme të mjetit.
Të dy ndodhen ende në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas dinamikës së aksidentit e cila po shqyrtohet nga policia lokale e rrethit Imolese, përplasja me pemën ishte fatale për 24-vjeçarin i cili ishte ulur në sediljen e djathtë përpara.
Lajmi për aksidentin tragjik, ku u përfshinë edhe miqtë e tij, u përhap menjëherë në fshatin ku jetonte i riu.
Ndërkohë policia italiane është duke hetuar për shkaqet e këtij aksidenti./Opinion.al