Finalja e madhe e Eurovision Song Contest 2023 do të zhvillohet në Liverpool Arena pranë lumit Mersey të shtunën më 13 maj, ndërsa gjysmëfinalet të martën më 9 dhe të enjten më 11 maj.
Pra, gjysmëfinalja e parë e Eurovizionit, do të mbahet mbrëmjen e sotme. Ajo do të hapet nga prezantuesja Julia Sanina, ndërsa do të performojë disa nga hitet e saj më të mëdha, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora.
Ndërkohë këngëtarja Albina Kelmendi së bashku me familjen e saj do të performojë këngën “Duje” në gjysmëfinalen e dytë të “Eurovision” më 11 maj.
Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga kjo natë emocionuese, në skenën e Eurovision 2023 u mbajtën provat e para. Albina dhe familja e saj kanë treguar pak nga performanca finale që do të japin në Liverpool të Britanisë së Madhe.
Siç shihet edhe në fotot e mëposhtme, të gjithë janë të veshur me të zeza, ndërsa pjesë e koreografisë do të jetë edhe shalli i kuq. Shqipëria do të jetë në gjysmëfinale me Armeninë, Qipron, Danimarkën, Estoninë, Greqinë, Islandën, Rumaninë, Australinë, Austrinë, Gjeorgjinë, Lituaninë, Poloninë, San Marinon dhe Slloveninë.
Festivali Europian këtë vit vjen me sloganin “United by Music”. Kështu, flamujt e Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar u përdorën si frymëzim për skemën e ngjyrave.
Gjysmëfinalet më 9 dhe 11 maj do të shohin 31 garues nga të cilët vetëm 20 do të kualifikohen për finalen e madhe më 13 maj. Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania dhe Italia kualifikohen automatikisht për në finale sepse paguajnë transmetuesit e tyre për të marrë pjesë. Ukraina gjithashtu do të shkojë direkt në finale si fituese e vitit 2022./Opinion.al
View this post on Instagram