Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka zhvilluar një takim me banorët e Njësisë Nr.7 për zgjedhjet e 14 majit.
Këlliçi e nisi fjalën e tij me një përgjigje për polemikat dhe zhurmën që shkaktoi posteri i tij “ me gishtat e mesit lart”.
Sipas tij, ngritja e gishtave lart ka mërzitur vetëm njerëzit që mbështesin korrupsionin.
Ai theksoi para qytetarëve se do të vazhdojë të luftojë korrupsionin dhe vjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
“Ai posteri im i gishtave i ka mërzitur shumë njerëzit…i ka mërzitur shumë që unë i kam nxjerr zemrën qytetarëve, dhe i kam nxjerr gishtin korrupsionit. Janë mërzitur të gjithë hipokritët që jetojnë në Tiranë, që punojnë në Tiranë. Analistët e mediave, që mbrojë nga mëngjesi deri në darkë korrupsionin, që mbrojnë inceneratorët fantazëm, që janë të gatshëm të thonë se kanë hypur në trenin elektrik të Erion Veliajt, që janë të gatshëm të dalin në media dhe të na numërojnë 1 milionë pemët e Erion Veliajt.
Sistemi që është ngritur sot në Tiranë, që është krejt i kalbur, korruptiv, i bazuar në lidhjet më okulte të kryetarit të Bashkisë me Ndraghetën italiane, të kryetarit të bashkisë me mafien e ndërtimit, ne bashkë do ta zhbëjmë në 14 maj. Ua them dhe njëherë, që pas datën 14 Maj, do zhvilloj një luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, pa etikë dhe me gishtat ngritur ndaj vjedhjeve në Bashkinë e Tiranës”.
Në fund, me kërkesë të qytetarëve, Belind Këlliçi premtoi gjithashtu se pas 14 Majit, një ditë në javët si kryebashkiak do t’ia dedikojë pritjes me qytetarët, që të ketë mundësi të dëgjojë nga afër problemet e tyre./Opinion.al