Ka nisur hetimi për një 58-vjeçar në Tiranë, pasi në një video të postuar në rrjete sociale, shfaqet duke drejtuar automjetin në të cilin kishte të lidhur një kafshë që po e tërhiqte.
Përveç ngjarjes së ndodhur, uniformat blu bëjnë me dije se shtetasi Xh. M., 58 vjeç, e drejtonte automjetin pa leje drejtimi dhe kishte mangësi në dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim.
Në përfundim të hetimeve ka nisur procedimi penal për 58-vjeçarin. Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi u vendos masë administrative në bazë të Kodit Rrugor, për mangësitë në dokumentacionin e automjetit.
“Në lidhje me një video të postuar në portale, në të cilën shfaqet një shtetas duke tërhequr një kafshë, me automjet, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, pas publikimit të pamjeve filmike, kanë nisur menjëherë verifikimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit. Nga verifikimet ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, shtetasi Xh. M., 58 vjeç, e drejtonte automjetin pa leje drejtimi dhe kishte mangësi në dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim.
Në përfundim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin Xh. M. Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi u vendos masë administrative në bazë të Kodit Rrugor, për mangësitë në dokumentacionin e automjetit”, tha policia./Opinion.al