Ensi Maze ka deklaruar në gjykatën e rrethit gjyqësor të Tiranës se nuk ka pasur asnjë konflikt me viktimën Stiven Toshkësi dhe se ishte gjendur rastësisht në ngjarjen që përshkallëzoi deri në vrasjen e 20 vjeçarit.
Ai tha se nuk ka parë veprimet që autori Axel Hoxhaj ka kryer me viktimën, Stiven Toshkësi dhe se nuk kishte dijeni mbi konfliktin e këtyre të dyve.
“Jam vetëdorëzuar pas ngjarjes dhe kam dhënë shpjegime të detajuara. Nuk kam parë veprimet që ka kryer Axeli me viktimën. Studioj në Holandë për menaxhim biznesi”- mësohet të jetë shprehur Ensi Maze.
Gjykata ka lënë në burg Ensi Mazen, pasi akuzohet si bashkëpunëtor për vrasjen me thikë të 20-vjeçarit, Stiven Toshkëzi, disa ditë më parë në Tiranë.
Kujtojmë se Stiven u qëllua me thikë pas shpine gjatë natës shumë pranë banesës së tij në Tiranë. Toshkësi sapo kishte lënë punën kur është përballur me dy 18-vjeçarët, të cilët e kishin qëlluar pas shpine, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Mësohet se viktima kishte debatuar me dy autorët e dyshuar, Ensi Maze dhe Axel Hoxhaj, ndërsa mollë sherri ishte bërë një vajzë. Po ashtu mësohet se i riu sapo kishte dalë nga puna e tij, kur është sulmuar nga dy adoleshentët, të cilët dyshohet se e kanë planifikuar sulmin.