Largimi masiv i shqiptarëve nuk ka prekur vetëm bizneset, por edhe procesin zgjedhor.
Nënkomisionerja e KQZ Lealba Pelinku në një intervistë për Klan News tregon vështirësitë e institucionit për të gjetur operatorë teknikë për pajisjen e identifikimit biometrik në ditën e votimit, pavarësisht pagesës së kënaqshme.
“Rezulton që ka një ikje, marrim informacion që shumë prej tyre nuk ndodhen në Shqipëri. Pritshmëria duhet të ishte e kundërta, pra të kishte një rritje të aplikimeve, sfida ngelet të arrijmë nivelin e mbulimit që kemi pasur në 25 Prill të 2021-it.”
Pelinku tregon ku ka më pak aplikime, që nisin nga Malësia e Madhe e deri në Konispol.
“Janë bashki të caktuara që i përkasin kryesisht qarkut të Vlorës dhe atij të Gjirokastrës si bashkia Himarë, Vlorë, Selenicë. Bashkia Sarandë, Konispol, Finiq apo ajo e Malësisë së Madhe që kanë një numër të ulët aplikimesh.”
Një tjetër sfidë që po përballet KQZ është dhe konfuzioni që synohet të krijohet nga subjekte të caktuara për teknologjinë në zgjedhje.
“Marrin mesazhe nga subjekte të caktuara që vota është e identifikueshme në rastin kur do të implementohet votimi elektronik. Kjo është absolutisht e pavërtetë.”
Sa i përket të dhënave të votuesve, Pelinku garanton se janë të sigurta për sa kohë pajisja nuk është e lidhur me internetin.
Klan News