Kryeministri Edi Rama në hapjen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit, gjatë fjalës së tij nuk ka kursyer ironitë me opozitën.
Sipas tij, PS është në garë me kohën e për të ardhmen, dhe jo në garë me opozitën, e cila sipas tij me hallet e tyre personale duan të marrin peng sa më shumë bashki.
“Sot Durrësi është një qytet i pastër, ka akoma probleme, por është një qytet i pastër, ka zgjidhur problemin e depozitimit të mbetjeve, nuk ka një gangrenë që ndoste ajrin, sot është një qytet shumë i pastër edhe në sytë e të gjithëve që e vizitojnë. Nëpërmjet një kukulle që kanë sjellë këtu, në këtë rast Durrësit nuk i duhet një kukull për të lozur me fatin e vet, por i duhet një rrugë për të ecur përpara, duke ndihmuar edhe atë pjesë të politikës të përballjes në skenën politike që të lehtësohet nga barra e së shkuarës të vijë në vete dhe të bëhet gati për të garuar me ne, jemi në garë me kohën dhe për të ardhmen, për të zgjidhur sa më shumë probleme dhe për të bërë sa më shumë punë, nuk jemi në garë me ata që për hallet e tyre personale që duan të marrin peng sa më shumë bashki, jetën tonë publike për të krijuar një imunitet për vete për problemet që kanë me të shkuarën kjo nuk është e mundur. Është e pamundur që Durrësi mund të lërë rrugës të gjithë këto gjëra të mëdha që janë nisur për t’u futur në një cep të errët të historisë së këtij vendi, është momenti që të nisim me mbjelljen e disa pemëve, fushatat shkojnë e vijnë, por diçka është mirë që të mbetet”, tha Rama.