Kryeministri Edi Rama ka hapur ditën e sotme fushatën elektorale të Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se transformimi i qytetit të Durrësit në një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe, do të sjellë rritjen e mundësive të punësimit.
Ndërkohë bëri me dije se puna për të dy portet kryesore të qytetit është duke vazhduar.
“Potenciali i Durrësit është i jashtëzakonshëm, me investimet e reja masive që do bëjmë, Durrësit do ketë një transformim rrënjësor dhe do kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe. Kjo do të thotë se do rriten mundësitë për punë dhe jo vetëm kaq, do kenë punë më të mirëpaguara. Në Durrës janë dy porte kyçe, për të dyja këto porte jemi në proces. Me portin turistik ka filluar të vendoset baza e kantierit dhe do vijojnë intensivisht punimet”, tha Rama.
Po ashtu si në Tiranë, takimi me qytetarët u mbyll me mbjelljen e pemëve, në zonën e Vollgës.
Ditën e djeshme, Partia Socialiste hapi zyrtarisht fushatën elektorale, duke premtuar se do të ketë takime të vogla me qytetarë dhe se gjysmën e shpenzimeve për fushatën do të jepen për mbjelljen e pemëve në të gjitha bashkitë e vendit./Opinion.al