Një video që tregon trupat ruse duke i prerë kokën një të burgosuri ukrainas të luftës është shfaqur në mediat sociale.
Videoja, e cila ka qarkulluar në Twitter, tregon një ushtar rus duke mbajtur një thikë dhe duke i prerë kokën një burri që thuhet se është një luftëtar ukrainas i kapur.
Burimi i videos është i paqartë, shkruajnë mediat e huaja. Megjithatë në referencë të pamjeve, BE-ja është zotuar se personat përgjegjës për krimet e luftës në Ukrainë do të dënohen, tha një zëdhënëse, pas videos së publikuar.
“Nuk kemi më shumë informacion për vërtetësinë e videos. Por nëse videoja konfirmohet si e vërtetë, kjo është një tjetër thirrje zgjimi për natyrën çnjerëzore të agresionit rus,” tha Zëdhënësja e BE-së Nabila Massrali.
CNN raporton se video mund të ishte regjistruar në verë për shkak të terrenit me bimë dhe bar në tokë. Një tjetër video po aq e tmerrshme, e cila supozohet se është filmuar nga mercenarë të ushtrisë private Wagner, është postuar në një kanal pro-rus të mediave sociale disa ditë më parë, thotë CNN.
Duket se pamjet tregonin trupat e dy ushtarëve ukrainas me kokë të prerë, të shtrirë në tokë, pranë një automjeti ushtarak të shkatërruar. Të hënën, Instituti për Studimin e Luftës tha se luftëtarët e Wagner “po vazhdojnë të kryejnë krime lufte duke i prerë kokën ushtarakëve ukrainas në Bakhmut”.
Sipas Institutit për Studimin e Luftës përdoruesit rusë të medieve sociale publikuan pamjet “që supozohet se tregonin mbetjet e një koke që i përkiste një ushtaraku ukrainas në një gozhdë” në një zonë të paspecifikuar në qytet./Opinion.al