Të miturit në Shqipëri i gjen të punësuar kryesisht në bare, restorante, hotele, tregti, bujqesi dhe ndërmarrje prodhuese.
Në vitin 2022, Inspektorati Shtetëror i punës ka konstatuar 171 punëmarrës nën 18 vjeç. Shifrat zyrtare tregojnë një rritje të lehtë, pas disa vitesh në rënie.
Kodi i Punës lejon punësimin e të miturve mbi 14 vjeç. Sipas specialistëve, rreth 20% e të punësuarve nën 18 vjeç janë të punësuar jo sipas rregullave ligjore.
Ilia Baxho, inspektor, Inspektorati Shtetëror i Punës: Nuk mund të themi që të gjitha kushtet zbatohen siç duhet, kemi të punësuar edhe të padeklaruar, të pasiguruar, pa kontrata.
Fëmijët me arsim 9-vjeçar zënë numrin më të lartë të të miturve në punë. Faktori ekonomik është shkaku kryesor.
Erion Muça, ekspert punësimi: Është gjendja ekonomike e familjeve shqiptare që kushtëzon fëmijët, kjo për të pasur një nivel më të mirë jetese.
Megjithatë një kategori tjetër punësimi përfshin edhe ata të rinjë që zgjedhin forma pune për të kultivuar talentin e tyre.
Erion Muça, ekspert punësimi: Ka një tendencë të të rinjve për t’u integruar në aktivitete që kanë në thelb identifikimin dhe kultivimit e talentit. Më të theksuar janë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Punësimi në moshë të re për ekspertët e punësimit i ndihmon të rinjtë të jenë më konkurrues në treg./ Tv Klan